Friday, July 31, 2009

Nga Hysen Sinani

DIPLOMACI E PAMUNDUR APO?!...
Shënime për librin "Diplomacia e vetëmohimit"
e shkrimtarit Shefki Hysa

“Diplomacia e vetëmohimit”. Kështu e ka titulluar shkrimtari Shefki Hysa librin e tij të fundit, të cilin e lexova në dorëshkrim me një frymë, jo vetëm nga kureshtja që më nxiti tematika e tij, por më tepër nga ajo mënyra e çiltër me të cilën na e servir ai temën e madhe të çështjes çame.
Ai të habit kur, në një mënyrë ashtu si të rastësishme, duke folur për talentin e Çamërisë, Bilal Xhaferrin, bie fjala, dhe fatin e tij të trishtuar, kalon në thelbe politike e historike aq të rëndësishme sa ti thua me vete: dale pak, t’i kthehem edhe një herë kësaj faqeje për ta kuptuar më mirë çfarë po tregon dhe çfarë paska ndodhur!

Gjatë gjithë kohës që lexoja dorëshkrimin prekës të Shefki Hysës, sepse ai i bën përshkrimet edhe në mënyrë prekëse, më vinte në mendje një thënie e hershme e Zhan-Pol Sartrit: shtetet janë si njerëzit, secili shikon interesin e tij... Nuk e mbaj mend në çfarë konteksti e kishte thënë këtë gjë, por mua tani nuk më shqitej nga mendja dhe, në të vërtetë, tek libri në fjalë, madje në të gjitha trajtimet e çështjes çame, vija re se vetëm shteti grek kishte qenë si njerëzit dhe kishte parë interesin e tij në lidhje me fatin e hidhur të një minoriteti të përzënë prej vendit të tij. Shteti shqiptar, si ai i djeshmi, ai i pardjeshmi dhe po aq ky i sotshmi nuk donte t’ia dinte për këtë fat e për këtë çështje jo të vogël kombëtare.
Përse vallë?

Thjesht dhe shkoqur për arsyen e parë që ka qenë dhe është një shtet vocërrak, i krahasueshëm me atë lypsarin e mbledhur grusht që di vetëm të kërkojë lëmoshë. Duket qartë ky shtet i vogël edhe në librin e Shefkiut; duket në ato paraqitjet aq të natyrshme të përjekjeve për ta ngritur çështjen çame në rangjet e diplomacisë ndërshtetërore, për ta zyrtarizuar në atë mënyrë që të mund të kërkohet zgjidhja e saj qartë dhe sipas rastit. Sepse, deri këtu ku ndodhet, ajo mbetet jashtë protokollit grek fare të zbrazur nga një çështje çame.

Është vërtet i dobishëm dhe tërheqës ky libër që Shefki Hysa ka përgatitur për shtyp.
Pa hyrë në hollësitë e persekutimit të dikurshëm çam nga ana e grekëve shovinistë, autori kalon lehtësisht nga njëri përshkrim te tjetri duke thurur një fill mjaft të ndritshëm e të kuptueshëm për cilindo lidhur me një çështje që jo rrallë është paraqitur qëllimisht shumë e ndërlikuar. Kështu, nga disa episode politike rreth këtij problemi kombëtar, natyrshëm ti thua me vete: mirë grekët, se ata interesin e tyre do të shohin, po ne çfarë kemi që tulatemi dhe nuk guxojmë t’ua përmendim të drejtën tonë as edhe si me shaka?

Duke lexuar këtë libër, i cili jo vetëm të informon nga brenda politikës shqiptare për çështjen “e ngecur” çame, por të jep edhe kënaqësi të vërteta estetike me disa përshkrime të bukura të gjendjeve emocionale dhe tipave të ndryshëm jetësorë, kupton e bindesh që kjo çështje kombëtare, sado që të zgjasë, do të vijë një ditë kur do të zgjidhet në mënyrë aq të natyrshme, sa mund të çuditesh që brezat të cilët luftuan aq shumë për atë çështje, ta kishin pasur aq të vështirë...

Kështu ndodh me shtetet, ashtu si me njerëzit: kur dikush bëhet më i fortë, tjetri bën rrugë e buzëqesh me mirësjellje...

Të paktën, këtë gjë, libri i Shefki Hysës do të na e kujtojë një ditë kur të jemi bërë edhe ne të fortë.

Hysen Sinani

No comments:

Post a Comment